Bilanci negativ tregtar në Kosovë vazhdon me importet (3.3 miliardë euro) që janë shumëfish më të mëdha se eksportet (475 milionë euro), në vitin 2020. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pothuajse pjesa më e madhe (45.8%) e importeve vijnë nga vendet e BE-së, ndërsa pjesa më e madhe e eksporteve (44.4%) drejtohen drejt vendeve të CEFTA-s.

Vendet anëtare të marrëveshjes CEFTA janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. CEFTA është ndërtuar mbi parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje është veçanërisht e rëndësishme për firmat kosovare pasi ato mund t’i plasojnë produktet e tyre në tregje më të mëdha dhe më me pak barriera. Për më tepër, kjo u lejon kompanive të vogla të bëhen më konkurruese dhe të mbështeten më pak në subvencionet e qeverisë, të fitojnë ekspertizë të re në industri dhe të përfitojnë nga transferimi i teknologjisë midis vendeve.
Megjithatë, përkundër pritshmërive të mëdha nga marrëveshja e CEFTA-s, Kosova ende karakterizohet me deficit të përgjithshëm tregtar. Kjo ndodh për shkak të barrierave, kryesisht politike, të vendosura nga vendet e tjera anëtare dhe kostove të larta të prodhimit që e cenojnë konkurrueshmërinë e firmave kosovare në rajonin e CEFTA-s. Për të tejkaluar këtë të fundit, firmave kosovare ju duhet:
- Rritja e kapaciteteve prodhuese: kjo do të ulte koston e prodhimit për njësi të kompanive kosovare dhe do të ju mundësonte atyre të konkurrojnë me çmime më të favorshme. Krejt në fund, kjo do të përmirësonte dukshëm konkurrueshmërinë e firmave kosovare në tregun e CEFTA-s.
- Zgjerimi i listës së furnitorëve vendorë: kostot e blerjes së lëndëve të para nga furnitorët e largët e rrisin çmimin final, dhe kjo ju ndodh një shumice të konsiderueshme të firmave kosovare. Prandaj, NMVM-të kosovare duhet të kërkojnë furnitorë alternativë, kryesisht vendorë ose nga vendet partnere të afërta. Zhvendosja drejt furnitorëve vendorë mund të ketë edhe një efekt tjetër pozitiv: uljen e importit dhe përmirësimin e bilancit të përgjithshëm tregtar.
- Zgjerimi i tregtisë në BE përtej familjarëve dhe miqve: Një opsion tjetër për rritjen e vlerës totale të eksportit të NMVM-ve kosovare është rritja e eksportit në BE. Këtë po e përmendim me qëllim për faktin se nuk janë të pakta rastet kur klientët kryesor të targetuar në BE të jenë të afërmit apo miqtë që përbëjnë diasporën e Kosovës në BE. Edhe pse kjo është një qasje pozitive veçanërisht kur NMVM-të fillojnë rishtas të eksportojnë në BE, ka edhe anën negative. Arsyeja qëndron në faktin se ky rreth familjar apo i miqve që NMVM-të nga Kosova ju qasjen, në të shumtën e rasteve janë ose staf i kompanisë që operon jashtë ose pronarë të bizneseve të vogla. Cilido prej këtyre rasteve nuk paraqet skenarin më të mirë të mundshëm se si një NMVM duhet të fillojë ose të rrisë eksportin. Kjo është arsyeja pse NMVM-të në Kosovë duhet të përpiqen më shumë për të gjetur grupe reale të klientëve në vendet e BE-së përveç diasporës apo rrethit të ngushtë.